Kalo te përmbajtja
← Projektet

Mjedisi2024–2025

Energji e pastër për Spitalin e Pejës

Një Grant Global i Fondacionit Rotary zëvendëson mazutin që digjej në lavanderinë e spitalit me energji diellore.

Grant Global i Fondacionit Rotary

Energji e pastër për Spitalin e Pejës

Për vite me radhë, lavanderia e Spitalit Rajonal në Pejë punonte me mazut. Ishte i shtrenjtë dhe e mbushte lagjen me tym. Banorët u ankuan shumë herë dhe çështja u trajtua në mediat kombëtare. Uji i ndotur nga mbetjet e mazutit përdorej edhe për ujitjen e tokave bujqësore.

Rotarianët Pejanë u takuan me banorët, pacientët, stafin dhe menaxhmentin e spitalit për ta kuptuar më mirë problemin. Më pas hartuan projektin “Energjia e ripërtërishme për ambient më të pastër në Spitalin e Pejës”: instalimin e paneleve fotovoltaike që prodhojnë mjaftueshëm energji elektrike të pastër për lavanderinë, dhe largimin e plotë të mazutit.

Projekti përkrahet nga një Grant Global i Fondacionit Rotary, me distrikte dhe klube Rotary partnere nga Kalifornia, Uellsi, Anglia, Franca, Japonia dhe Suedia. Projektin e inicioi dhe e mbikëqyr anëtari i klubit Gentian Lluka. Marrëveshjen e nënshkruan Neba Albani në emër të klubit dhe drejtori ekzekutiv i spitalit, Dr. Fazli Shala.

Përfituesit: spitali, stafi dhe pacientët e tij, familjet që jetojnë përreth, fermerët dhe i gjithë qyteti i Pejës.