Kalo te përmbajtja
← Të gjitha lajmet

Neba Albani, kryetare 2021–2022

Anëtare themeluese e Rotary Club Peja dhe Paul Harris Fellow, udhëheq klubin në vitin “Shërbejmë për të Ndryshuar Jetën”.

Neba Albani, kryetare 2021–2022

Rotary Club Peja ka kënaqësinë të prezantojë Neba Albanin, kryetare e klubit për vitin Rotary 2021–2022.

E diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, Neba është drejtoreshë financiare në Klinikën Digjitale. Ajo është ndër Rotarianet e para në Kosovë që nga viti 2006 dhe anëtare themeluese e Rotary Club Peja. Bashkëshorti Neshadi dhe djemtë Arbëri, Dardani dhe Iliri janë gjithashtu Rotarianë të devotshëm.

Për kontributin e saj të vazhdueshëm, Neba është nderuar me çmimin Paul Harris Fellow. Që nga viti 2006 ka marrë pjesë në shumë ngjarje Rotary, ndër to Konferenca e Presidentit të Rotary International 2007 në Sofje, konferencat e Distriktit 2480 në Selanik dhe Korfuz, takimet e Rotary Zone Institute në Stamboll, Izmir, Antalia dhe Sofje, dhe me Neshadin ka qenë bashkëprezantuese në Konferencën e Distriktit 1190 në Plymouth, Mbretëri e Bashkuar. Neba ka pasion pikturën dhe një koleksion të jashtëzakonshëm pikturash.

“Rotary është organizatë e shkëlqyeshme e liderëve në biznes dhe profesion. Jeni të mirëseardhur të bashkoheni, të shtoni numrin e miqve në Kosovë dhe në mbarë botën dhe të kontribuoni në zhvillimin e qytetit dhe vendit tonë të dashur.”

Publikuar fillimisht në Facebook: 3 tetor 2021